Njohuri të përgjithshme mbi personalitetin
Njohuri të përgjithshme mbi personalitetin
Psikologjia nuk kufizohet vetëm me studimin e proceseve psikike njohëse, emocinale, të vullnetshme dhe me shqyrtimin e anës psikologjike të veprimtarisë.
Ajo studjon edhe ato veçori të qenësishme dhe të qëndrueshme, që e bëjnë një njeri të dallojë nga njerëzit e tjerë, d.m.th. ato veçori që përcaktojnë personalitetin e tij.
Çdo njeri ka një mori veçorish psikologjike, ka aq shumë lloje veçorish sa nuk mund të gjesh dy njerëz identik me njëri-tjetrin. Nga ana tjetër çdo njeri ka personalitetin e vet, por jo të gjitha veçoritë që ka njeriu dhe jo çdo lloj veçorie përcakton personalitetin e tij.
Personalitetin e përcaktojnë veçoritë psikologjike më të qenësishme dhe më të qëndrueshme.
Në kategorinë e veçorive që përcaktojnë personalitetin e njeriut, bëjnë pjesë bindjet dhe idetë, interesat, aftësitë, temperamenti dhe karakteri. Bindjet, idealet dhe interesat përcaktojnë drejtimin e personalitetit, përcaktojnë se çfarë do, cilat janë dëshirat dhe pikësynimet e njeriut. Aftësitë përcaktojnë se çfarë mundet të bëjë d.m.th. cilat janë mundësitë e tij, kurse karakteri përcakton se kush është ai faktikisht, ç’qëndrim mban ai ndaj vetëvetes, shoqërisë dhe fenomeneve të ndryshme shoqërore.
Njohja e veçorive psikologjike, që përcaktojnë personalitetin ka rëndësi të dorës së parë për të kuptuar psikologjinë e një njeriu në tërësi, sepse veçoritë psikologjike të personalitetit ushtrojnë një ndikim të thellë si në proçeset e veçanta psikike, ashtu edhe mbi njëra-tjetrën.
Pra, me personalitet kuptojmë tërësinë e veçorive psikike më të qënësishme dhe të qëndrueshme, që e dallojnë një njeri nga njerëzit e tjerë.
Personaliteti i njeriut formohet si rezultat i jetës që bën njeriu në shoqëri. Bindjet, idelet dhe interesat formohen në procesin e veprimtarisë aktive dhe nën ndikimin e kushteve të jetës dhe të edukatës, në të cilën ndodhet njeriu që në moshën e tij të re. Në këto kushte zhvillohen edhe aftësitë e ndryshme dhe formohet karakteri injeriut. Zhvillimi i gjithanshëm i çdo individi kushtëzohet nga zhvillimi i individëve të tjerë dhe nga zhvillimi i shoqërisë në tërësi, prandaj themi se personaliteti ka natyrë shoqërore. Personalitetin nuk duhet ta ngatërrojmë me individin. Me individ kuptojmë njeriun e veçantë. Ndërsa për të kuptuar personalitetin, duhet të kemi parasysh jo vetëm ato veti që e dallojnë atë nga të tjerët, por edhe ato veti që janë tipike për të gjithë njerëzit, Sa më të qartë ta shohim tek një individ një tipar të përgjithshëm tipik, aq më qartë shprehet personaliteti i tij. Për një njeri themi se ka personalitet, kur ai e ka përcaktuar në mënyrë të vetëdijshme qëndrimin e tij ndaj jetës dhe ka formuar botëkuptimin e tij ndaj saj. Si pasojë e përcaktimit të pozitës ndaj jetës, njerëzit kanë si të themi fizionominë e tyre shpirtërore origjinale, bien në sy për pavarësi në të menduar, për ndjenja të larta, për forcën e vullnetit dhe të pasioneve.
Personaliteti i njeriut lidhet ngushtë me jetën e njeriut në shoqëri, me grupin shoqëror ku ai jeton dhe shkallën e zhvillimit të vetë shoqërisë. Nje grup shoqëror i zhvilluar, antarët e të cilit i bashkon ambicja dhe përpjekja për arritjen e qëllimeve të larta, hap horizonte të gjëra për zhvillimin e personalitetit. Anëtarët e një kolektivi duke qënë të vetëdijshëm që luftojnë për një qëllim madhor, gjejnë në vetëvete forca të pashtershme, të cilat i venë në shërbim të çështjes për të cilën lufton kolektivi. Ky lloj organizimi shoqëror, duke i bashkuar anëtarët e tij në luftën për arritjen e qëllimeve të mëdha, krijon kushte më të favorshme për formimin e bindjeve dhe ideve, për zhvillimin e aftësive dhe për farkëtimin e karakterit pozitiv.
Personaliteti nuk është i lindur, por formohet në procesin e jetës dhe të përpjekjeve që bën njeriu për të njohur botën që e rrethon dhe për ta shndërruar atë sipas kërkesave dhde nevojave të tij. Në këtë proces ai nuk shndërron vetëm botën e jashtme, por shndërron edhe vetëveten, dhe në të njejtën kohë formon edhe personalitetin e tij.
Interesat
Në procesin e jetës, njeriu zgjeron çdo ditë kontaktin me botën që e rrethon, depërton në thelbin e sendeve dhe fenomeneve dhe përcakton se cilat prej tyre kanë rëndësi për jetën. Fill pas përcaktimit të kësaj rëndësie që kanë sendet dhe fenomenet e veçanta, njeriu e drejton vetëdijen mbi to, përpiqet t’i mbajë gjithmonë në fushën e vëzhgimit dhe t’i njohë më thellë ato. Drejtimi dhe përqëndrimi i vazhdueshëm i vetëdijes së njeriut mbi objektet, fenomenet ose mbi fusha të caktuara të veprimtarisë së tij, me qëllim që t’i njohë ato më thellë, quhet interes. Interesat kanë lidhje të ngushta me nevojat, prirjet, ndjenjat dhe vëmendjen, por kanë edhe disa karakteristike, që i dallojnë prej tyre dhe prej fenomeneve të tjera psikike.
Interesat e drejtojnë vëmendjen, perceptimin, kujtesën, dhe të menduarit e njeriut mbi objektet dhe e nxisin atë për veprimtari. Kur njeriu punon me interes e ka më lehtë dhe është më prodhues në punë. Interesat për punë, për lëndë të veçanta mësimore, për artet, shkencën dhe teknikën, e nxisin njeriun për veprimtari dhe në këtë mënyrë pregatisin kushtet për kalimin nga interesat në prirjet. Ndryshimi ndërmjet interesave dhe prirjeve qëndron në faktin se, ndërsa interesat e nxisin njeriun t’i njohë më thellë objektet, prirjet e nxisin atë për t’u marrë vetë me veprimtari. Kështu p.sh. një njeri ka interes për letërsinë dhe ai e ndjek me interes një bisedë ku flitet për të ose e lexon me interes një gazetë ose revistë letrare, por nëse nuk ndjen nevojë për t’u marrë vetë me veprimtari letrare nuk mund të themi se ai ka prirje për letërsi. Interesat ndryshojnë edhe prej vëmendjes. Kemi thënë se me vëmendje kuptojmë të drejtuarit dhe të përqëndruarit e vetëdijes sonë në një ose disa objekte apo fenomene, ndërsa me interes kuptojmë nevojën që ndjejmë për ta drejtuar vetëdijen tonë më tepër në një objekt ose veprimtari se sa në një tjetër.Interesat kanë lidhje të ngushtë me ndjenjat dhe emocionet.