Pse ndihem çuditshëm? Nuk di ta shpjegoj…
Ankthi i përgjithësuar dhe rrethi vicioz i frikës
Shumë njerëz e gjejnë veten duke thënë: “Po ndihem çuditshëm, por nuk di ta shpjegoj.” Kjo ndjesi shpesh shoqërohet me konfuzion, frikë dhe pasiguri. Mund të duket sikur trupi nuk funksionon si më parë, sikur diçka nuk është në rregull, edhe pse analizat mjekësore rezultojnë normale. Për shumë pacientë, kjo është një nga mënyrat më të zakonshme se si shfaqet ankthi i përgjithësuar.
Në praktikën klinike, shumë persona përjetojnë simptoma fizike dhe emocionale që nuk arrijnë t’i kuptojnë plotësisht. Ata ndihen të lodhur, të tensionuar, kanë marramendje, rrahje të shpejta zemre, vështirësi në frymëmarrje apo një ndjesi të vazhdueshme alarmi. Pikërisht këto përjetime krijojnë ndjesinë se “diçka nuk shkon”.
Çfarë është ankthi i përgjithësuar?
Ankthi i përgjithësuar është një gjendje psikologjike ku mendja dhe trupi qëndrojnë në një gjendje të vazhdueshme tensioni dhe vigjilence. Personi përjeton shqetësim të vazhdueshëm, mendime negative dhe një ndjesi të fortë pasigurie, edhe në mungesë të një rreziku real.
Ndryshe nga frika normale, e cila shfaqet përballë një situate konkrete, ankthi i përgjithësuar mund të ekzistojë gjatë gjithë kohës. Pacienti fillon të monitorojë vazhdimisht trupin dhe emocionet e tij, duke kërkuar shenja që tregojnë se diçka nuk është në rregull.
Kjo është arsyeja pse shumë pacientë thonë:
- “Nuk ndihem vetvetja.”
- “Kam një ndjesi të çuditshme në trup.”
- “Kam frikë se mos po humbas kontrollin.”
- “Mendoj se kam diçka serioze.”
Në realitet, shumë nga këto simptoma lidhen drejtpërdrejt me mekanizmat e ankthit.
Si krijohet rrethi vicioz i ankthit?
Një nga mekanizmat më të zakonshëm të ankthit është auto-kontrolli i vazhdueshëm. Pacienti fillon të vëzhgojë çdo ndjesi fizike dhe emocionale, duke u përpjekur të kuptojë nëse gjithçka është normale.
Ky proces zakonisht ndjek disa hapa:
1. Kontrolli i vazhdueshëm i vetes
Pacienti kontrollon trupin dhe mendimet e tij gjatë gjithë kohës:
- A po më rreh zemra më shpejt?
- Pse po ndihem kështu?
- Mos po më merret fryma?
- A po më vjen një krizë ankthi?
Ky kontroll i vazhdueshëm e mban mendjen të fokusuar vetëm tek simptomat.
2. Interpretimi negativ i ndjesive trupore
Trupi ynë nuk është kurrë plotësisht i qetë. Organet funksionojnë vazhdimisht dhe ne përjetojmë ndjesi të ndryshme gjatë ditës. Por kur një pacient është i fokusuar tek frika, çdo sinjal i vogël interpretohet si kërcënim.
Një tension i lehtë në kraharor mund të perceptohet si problem serioz.
Një marramendje e vogël mund të interpretohet si humbje kontrolli.
Një frymëmarrje më e shpejtë mund të shkaktojë alarm.
Kështu, trupi fillon të shihet si burim rreziku.
3. Aktivizimi i alarmit dhe simptomave fizike
Kur mendja percepton rrezik, trupi aktivizon mekanizmin e mbrojtjes. Kjo është arsyeja pse shfaqen simptoma fizike reale si:
- Takikardi
- Dridhje
- Marramendje
- Djersitje
- Vështirësi në frymëmarrje
- Tension muskulor
- Ndjesi mpirjeje
Këto simptoma janë të vërteta dhe pacienti i përjeton realisht. Megjithatë, ato nuk janë domosdoshmërisht shenjë e një problemi fizik serioz, por reagim i sistemit nervor ndaj frikës dhe alarmit.
4. Konfirmimi i frikës
Pasi simptomat shtohen, pacienti bindet edhe më shumë se “diçka nuk shkon”. Frika rritet, kontrolli i vetes bëhet më intensiv dhe ankthi ushqehet vazhdimisht.
Në këtë moment krijohet një rreth vicioz:
frika prodhon simptoma dhe simptomat rrisin frikën.
Sa më shumë pacienti përpiqet të kontrollojë gjithçka, aq më shumë humbet ndjesinë e kontrollit.
Pse ankthi shkakton ndjesi kaq të forta?
Ankthi nuk është vetëm “në mendje”. Ai aktivizon të gjithë organizmin. Sistemi nervor përgatit trupin për t’u mbrojtur nga një kërcënim, edhe kur kërcënimi nuk është real.
Kjo gjendje e vazhdueshme alarmi lodh organizmin dhe ndikon në:
- Gjumin
- Përqendrimin
- Energjinë
- Marrëdhëniet sociale
- Punën dhe aktivitetet e përditshme
Pacienti fillon të shmangë situata, vende apo aktivitete që i lidh me ankthin. Me kalimin e kohës, jeta mund të kufizohet ndjeshëm.
Shumë persona ndihen të bllokuar në mendimet e tyre dhe kanë ndjesinë se nuk mund të jetojnë më të qetë. Kjo ndodh sepse ankthi krijon një fokus të vazhdueshëm tek rreziku dhe tek përpjekja për të kontrolluar gjithçka.
Ankthi dhe ataket e panikut
Kur ankthi arrin nivele shumë të larta, mund të shfaqet një atak paniku. Ky është një episod intensiv frike i shoqëruar me simptoma të forta fizike dhe emocionale.
Gjatë një ataku paniku, pacienti mund të përjetojë:
- Frikë se po humbet kontrollin
- Frikë se po çmendet
- Frikë se po pëson infarkt
- Ndjesi mbytjeje
- Marramendje intensive
- Të dridhura ose djersitje
Megjithëse ataku i panikut është shumë i frikshëm, ai nuk është i rrezikshëm për jetën. Problemi kryesor është frika që mbetet pas episodit dhe mënyra se si pacienti fillon të jetojë në pritje të krizës tjetër.
Kjo krijon një tension të vazhdueshëm psikologjik dhe emocional.
“Ai që kërkon, gjen… por edhe krijon”
Një nga aspektet më të rëndësishme të ankthit është mënyra se si mendja fillon të krijojë atë që ka më shumë frikë.
Kur pacienti kontrollon vazhdimisht trupin:
- rrit vëmendjen ndaj simptomave,
- interpreton çdo ndjesi si kërcënim,
- aktivizon alarmin fizik,
- dhe përforcon ankthin.
Pra, sa më shumë përpiqemi të kontrollojmë frikën, aq më shumë e ushqejmë atë.
Ky mekanizëm është shumë i zakonshëm tek pacientët që vuajnë nga ankthi i përgjithësuar ose paniku.
A mund të trajtohet ankthi?
Po. Ankthi mund të trajtohet dhe menaxhohet në mënyrë efektive me ndihmën e duhur psikologjike.
Hapi i parë është të kuptohet mekanizmi i ankthit dhe mënyra se si funksionon rrethi vicioz i frikës. Kur pacienti arrin të kuptojë se simptomat fizike janë reagim i ankthit dhe jo domosdoshmërisht rrezik real, niveli i alarmit fillon gradualisht të ulet.
Psikoterapia ndihmon pacientin të:
- kuptojë mendimet që ushqejnë ankthin,
- reduktojë auto-kontrollin e vazhdueshëm,
- menaxhojë simptomat fizike,
- rikthejë ndjesinë e sigurisë,
- rifitojë kontrollin mbi jetën e përditshme.
Me mbështetjen e duhur profesionale, është e mundur të dilet nga kjo vorbull frike dhe tensioni.
Kur duhet të kërkoni ndihmë?
Nëse ndiheni vazhdimisht të tensionuar, të lodhur emocionalisht, të frikësuar nga simptomat fizike ose të bllokuar në mendime negative, është e rëndësishme të mos e përballoni vetëm këtë gjendje.
Sa më herët të trajtohet ankthi, aq më e lehtë bëhet ndërprerja e ciklit të frikës dhe rikthimi i qetësisë emocionale.
Nëse e gjeni veten në këtë përshkrim, dijeni se nuk jeni vetëm dhe se ankthi mund të trajtohet me sukses përmes ndihmës profesionale psikologjike- Drejtoju Psikologut!
Seanca live & online
Teams: studio.psikologjie
WhatsApp & Viber

