
Kam frikë se mos pësoj atak në zemër!
Çfarë është Kardiofobia?
A ndiheni shpesh të shqetësuar se mund të pësoni një atak në zemër, edhe pse analizat tuaja mjekësore dalin normale? A ju ndodh të dëgjoni me vëmendje rrahjet e zemrës, të shmangni ushtrimet fizike ose të vizitoni rregullisht mjekun për të qetësuar frikën tuaj? Nëse po, është e mundur që të jeni duke përjetuar kardiofobi, një formë specifike e ankthit shëndetësor.
Në këtë artikull do të shpjegojmë çfarë është kardiofobia, cilat janë simptomat dhe sjelljet e lidhura me të, si dhe si mund të ndihmojë psikoterapia në trajtimin e saj.
Kardiofobia është një çrregullim ankthi, ku personi ka një frikë të vazhdueshme, intensive dhe shpesh iracionale se mund të pësojë një sulm në zemër, goditje në tru apo një sëmundje tjetër fatale të zemrës, pavarësisht mungesës së provave mjekësore për një gjendje të tillë.
Kjo gjendje shoqërohet me një vëmendje obsesive ndaj trupit, veçanërisht rrahjeve të zemrës, duke çuar në një përjetim të vazhdueshëm të ankthit, pasigurive dhe frikës nga vdekja e menjëhershme.
Simptomat fizike të Kardiofobisë
Shumë nga simptomat që përjetohen nga personat me kardiofobi janë të ngjashme me ato të një krize ankthi ose madje edhe të një sulmi kardiak, gjë që e shton frikën dhe konfuzionin. Këto simptoma mund të përfshijnë:
- Djersitje e tepruar
- Frymëmarrje e vështirësuar
- Takikardi ose ndjesi të rrahjeve të çrregullta të zemrës
- Marramendje ose ndjesi të të fikëtit
- Të përziera
- Dhimbje koke
- Dridhje
- Vështirësi në përqendrim
- Pagjumësi, sidomos për shkak të frikës se mund të ndodhë një sulm në zemër gjatë gjumit
Sjelljet tipike të një personi me Kardiofobi
Përveç simptomave fizike, kardiofobia manifestohet edhe përmes një sërë sjelljesh jofunksionale dhe vetë-monitorimi, të cilat në vend që të qetësojnë personin, e mbajnë të bllokuar në një cikël ankthi:
- Kontroll i vazhdueshëm i rrahjeve të zemrës
- Interpretim negativ i çdo ndryshimi të vogël në ritmin kardiak (takikardi, aritmi, bradikardi)
- Kërkim i sigurisë përmes bisedave të shpeshta me të tjerët ose me profesionistë shëndetësorë
- Kryerje e vizitave të shpeshta te kardiologu, EKG-ve, matje presioni, etj.
- Shmangie e aktiviteteve fizike që rrisin ritmin e zemrës (si ngjitja e shkallëve apo vrapi)
- Kujdes i tepërt në ushqim, për të shmangur çdo substancë që mund të ndikojë në presionin e gjakut
Sa më shumë që personi përpiqet të kontrollojë apo parandalojë ndonjë ndodhi fatale, aq më shumë rritet ndjesia e frikës dhe ankthit. Ky është një rreth vicioz, ku sjelljet e qetësimit vetë i nxisin më tej simptomat dhe frikën.
Në vend që të ndihen më të sigurt, personat me kardiofobi shpesh përjetojnë një përkeqësim të ndjenjës së pasigurisë dhe frikës, duke ndikuar në mënyrë të thellë në jetën e tyre të përditshme.
Si trajtohet Kardiofobia? Roli i Psikoterapisë
Trajtimi më i efektshëm për kardiofobinë është psikoterapia, veçanërisht terapia kognitive-biheviorale (CBT), e cila ndihmon individin të:
- Kuptojë mekanizmat e frikës dhe ankthit që ndodhen pas sjelljeve të tij
- Identifikojë dhe sfidojë mendimet iracionale që ushqejnë frikën
- Reduktojë sjelljet e kontrollit obsesiv ndaj trupit
- Mësojë teknika relaksimi dhe menaxhimi të ankthit
- Ristrukturojë mënyrën e të menduarit mbi shëndetin dhe trupin
Në Studio Psikologjike e Doktoreshë Sonila Hoxha, ne ofrojmë një qasje të individualizuar dhe të kujdesshme për trajtimin e kardiofobisë, duke ndihmuar klientët tanë të rifitojnë besimin në trupin e tyre dhe qetësinë në mendje.
Mos lejoni Frikën të kontrollojë jetën tuaj
Nëse ndiheni të bllokuar nga frika e një sulmi në zemër, edhe pse të gjitha analizat janë normale, ndoshta është koha të kërkoni ndihmë psikologjike. Kardiofobia nuk është “thjesht një stres” apo “lodhje”, por një çrregullim i vërtetë që ka nevojë për trajtim profesional.
Na kontaktoni sot në Studio Psikologjike me Doktoreshë Sonila Hoxha në Tiranë për një konsultë dhe hidhni hapin e parë drejt një jete më të qetë, më të shëndetshme dhe më të lirë nga frika.
Konsulta online nëpërmjet SKYPE, WHATSAPP, VIBER Na kontakto në skype në adresën studio.psikologjie